Një fluturim i Air India për në Londër Gatwick është rrëzuar në aeroportin e Ahmedabad me qindra pasagjerë në bord. Fluturimi ishte AI171 dhe 244 persona (232 pasagjerë dhe 12 anëtarë të ekuipazhit) ishin në bord, tha Faiz Ahmed Kidwai, shefi i drejtorisë së aviacionit civil të Indisë.
Policia ka thënë se aeroplani u rrëzua në një “zonë civile” jashtë aeroportit në Indinë perëndimore.
Sky News raporton se sinjali i fundit i aeroplanit u mor në faqen e internetit Flightradar vetëm disa sekonda pasi u ngrit. Air India ka ndarë deklaratën e mëposhtme: “Fluturimi AI171, që operonte Ahmedabad-Londër Gatwick, u përfshi në një incident sot, më 12 qershor 2025. Aeroplani kishte arritur 625 metra lartësi, pasi Flightradar e liston aeroplanin si një Boeing 787-8 Dreamliner.
Ministri i aviacionit të Indisë ka thënë se ata janë në nivelin më të lartë të gatishmërisë dhe ekipet e shpëtimit janë vendosur në vend.
Sinjali për aeroplanin e Air India humbi vetëm një minutë pasi u ngrit në orën 10:08 të mëngjesit sipas kohës lokale.
Kryetari i Air India, N. Chandrasekaran, tha në një deklaratë: “Me hidhërim të thellë konfirmoj se fluturimi 171 i Air India që operonte Ahmedabad-London Gatwick u përfshi në një aksident tragjik sot. Mendimet dhe ngushëllimet tona më të thella janë me familjet dhe të dashurit e të gjithë atyre që u prekën nga kjo ngjarje shkatërruese.” “Në këtë moment, fokusi ynë kryesor është mbështetja e të gjithë personave të prekur dhe familjeve të tyre. Po bëjmë gjithçka që është në fuqinë tonë për të ndihmuar ekipet e reagimit ndaj emergjencave në vendngjarje dhe për t’u ofruar të gjithë mbështetjen dhe kujdesin e nevojshëm atyre që janë prekur.
“Përditësime të mëtejshme do të ndahen sapo të marrim informacione më të verifikuara.
“Një qendër emergjence është aktivizuar dhe është ngritur një ekip mbështetjeje për familjet që kërkojnë informacion.”