Replikat në distancë mes kreut të qeverisë shqiptare, Edi Ramës dhe politikanit britanik Nigel Farage, mesa duket nuk kanë për të ndaluar.
Ka qenë kryeministri ai i cili mëngjesin e kësaj të marte e ka nisur me një reagim të ashpër ndaj deklaratave të bëra nga deputeti Farage, i cili ka përsëritur pretendimet e tij mbi përfshirjen e shqiptarëve në aktivitetet kriminale në Mbretërinë e Bashkuar.
Në reagimin e postuar në rrjetin social “X”, Rama i ka quajtur këto deklarata të Farage “të gabuara” dhe e ka sfiduar atë publikisht me të dhëna konkrete.
Duke iu referuar të dhënave të siguruara nga vetë Ambasada e Shqipërisë në Londër, kryeministri thekson se numri i vërtetë i shqiptarëve që jetojnë në Angli është mbi 300 mijë , shumë më tepër sesa shifrat e përmendura nga britanikia “The Telegraph”, apo nga vetë Farage.
“Pra, më lejoni t’ju ndihmoj me sqarime të mëtejshme. Sipas të dhënave nga Ambasada e Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar, një institucion që merret me njerëz të vërtetë, jo me fraza të Brexit, numri i shqiptarëve në vendin tuaj nuk është 53,000, siç sugjeron fillimisht The Telegraph. Në fakt, në të njëjtin artikull, ajo pranon, dhe citoj, “analiza ka të ngjarë ta ketë nënvlerësuar madhësinë e popullsisë shqiptare”. Pastaj spekulon se shifra mund të jetë deri në 140,000. Në realitet, z. @Nigel_Farage E di çfarë? Shifra është mbi 300,000, vëlla!”, shkruan Rama, teksa më tej ka theksuar se shqiptarët janë një komunitet i integruar dhe me një kontribut të madh në shoqërinë britanike, duke filluar nga edukimi i fëmijëve dhe deri te ndërtimi i banesave të tyre.
“Ata nuk janë mish për dhëmbët e propagandës së shpëlarjes së trurit pas Brexit-it. Ata janë pjesë e strukturës së gjallë dhe që merr frymë e shoqërisë suaj. Edhe pa kontrolluar moshën, gjininë apo statusin socioekonomik, raportet tuaja bien. As një në pesëdhjetë. Dhe sigurisht jo një në tre ose katër. Këto nuk janë statistika, janë taktika frikësimi të maskuara si të dhëna”, shkruan kryeministri ndër të tjera, duke insistuar që Farage të pranojë gabimin dhe mos të vijojë të këmbëngulë në këto statistika të cilat kanë qenë të gabuara qysh prej fillimi.
Në fund, Rama e mbyll reagimin e tij duke i kërkuar Farage që para se të vizitojë Shqipërinë, duhet që më parë të jetë i gatshëm për të diskutuar mbi fakte, jo fantazi.
