Qeveria britanike, përmes Home Office, ka njoftuar propozime të reja që përbëjnë ndryshimin më të madh të sistemit të emigracionit dhe vendosjes në Mbretërinë e Bashkuar gjatë 50 viteve të fundit. Sipas këtyre planimeve, vetëm qytetarët britanikë do të kenë të drejtën e plotë për benefite dhe strehim social në të ardhmen.
Ky ndryshim synon të reduktojë varësinë nga ndihmat e shtetit dhe të sigurojë që mbështetja financiare dhe strehimi publik t’u jepen kryesisht atyre që kanë një lidhje të fortë dhe afatgjatë me vendin.
ÇFARË PARASHIKOJNË PROPOZIMET E REJA?
1. Kufizime në benefite
- Personat që nuk janë qytetarë britanikë nuk do të kenë të drejtë të kërkojnë benefite financiare.
- Kjo përfshin përfitime si Universal Credit, Housing Benefit dhe skema të tjera mbështetëse.
2. Strehimi social vetëm për britanikët
- Qeveria planifikon të zbatojë një “test lidhjeje me Mbretërinë e Bashkuar” (UK connection test).
- Sipas këtij testi, për t’u përfshirë në listat e pritjes për strehim social, individët duhet të tregojnë një lidhje të fortë me vendin – dhe në shumë raste, kjo lidhje nënkupton qytetarinë britanike.
- Kjo pritet të reduktojë aksesin e emigrantëve në banesat publike.
3. Rregulla shumë më të rrepta për marrjen e “settlement”
- Emigrantët që jetojnë dhe punojnë në MB mund të duhet të presin 20 deri në 30 vjet për të marrë leje qëndrimi të përhershme (settlement), në varësi të historisë së tyre të qëndrimit.
- Kriteret e reja përfshijnë:
- sjelljen dhe respektimin e ligjeve,
- integrimin dhe kontributin në komunitet,
- aktivitetet vullnetare,
- aftësitë, punësimin dhe shkollimin.
4. Qasje më e kufizuar për ata që hyjnë ilegalisht ose mbivendosin vizat
- Personat që kanë hyrë në vend në mënyrë të paligjshme ose kanë qëndruar më shumë se lejohet, mund të jetë pothuajse e pamundur të marrin status të qëndrimit afatgjatë.
PSE PO I BËN KËTO NDRYSHIME QEVERIA?
Home Office thotë se masa të tilla janë vendosur për:
- të parandaluar abuzimin me sistemin e benefiteve,
- të ulur presionin mbi strehimin social,
- të tërhequr vetëm emigrantë me aftësi dhe kontribute të qarta për vendin,
- të ulur kostot për taksapaguesit britanikë.
ÇFARË DO TË NDODHË TANI?
Këto janë ende propozime, por pritshmëria është që qeveria t’i shtyjë ato përpara shumë shpejt. Nëse miratohen, ato do të prekin:
- emigrantët që jetojnë aktualisht në MB,
- personat që planifikojnë të vijnë në të ardhmen,
- familjet që kërkojnë ndihmë sociale ose strehim.
