Prindërit thonë se shqetësimet e tyre u injoruan para arrestimit të punonjësit të çerdhes në Londër për abuzim ndaj fëmijëve
Avokatja e prindërve thotë se pretendimet ndaj tij përfshinin fëmijë që ktheheshin në shtëpi të lënduar dhe ankesa për mënyrën se si Vincent Chan trajtonte të vegjlit. Ndërkohë, qeveria është zotuar të përmirësojë sigurinë e fëmijëve pas këtij skandali.
Chan punoi në një degë të zinxhirit të çerdheve Bright Horizons në veri të Londrës nga viti 2017 deri në arrestimin e tij në qershor 2024. Ai pranoi fajësinë të mërkurën për 26 vepra penale, përfshirë sulme seksuale ndaj vajzave të moshës 2 deri në 4 vjeç që ishin nën kujdesin e tij, disa prej të cilave u kryen ndërsa fëmijët flinin dhe disa të tjera u filmuan.
Prindërit, të cilët thonë se janë “të neveritur”, kanë pretenduar përmes avokates së tyre se shqetësimet që kishin për sjelljen e Chan nuk u morën seriozisht. Ata akuzojnë Bright Horizons për dështime para arrestimit të tij.
Avokatja Alison Millar, që përfaqëson disa nga 700 prindërit fëmijët e të cilëve frekuentuan çerdhen gjatë periudhës që Chan punoi aty, tha se pretendimet përfshinin fëmijë që ktheheshin në shtëpi me lëndime, përfshirë shenja kafshimesh, prerje dhe gërvishtje.
Sipas prindërve, fëmijët gjithashtu thanë se Chan i inkurajonte djemtë e klasës së tij, të moshës 2 deri në 4 vjeç, të ziheshin me njëri-tjetrin. Millar shtoi se Chan kishte treguar sjellje të papërshtatshme duke u bërtitur fëmijëve.
Bright Horizons deklaroi:
“Po të kenë ndodhur këto sjellje, janë të papranueshme – ne nuk inkurajojmë ose tolerojmë dhunë në asnjë formë. Po ashtu, nëse stafi është informuar për shqetësime dhe nuk i ka menaxhuar siç duhet, kjo nuk është e pranueshme dhe nuk përputhet me standardet tona. Aktualisht informacioni ynë është i kufizuar. Punonjësit që drejtonin çerdhen në periudhën kur Chan ishte i punësuar nuk punojnë më tek ne dhe nuk ka qenë e mundur të merren në pyetje.”
Kompania shtoi se procesi i rishikimit të sigurisë së fëmijëve do të hetojë nëse dhe si mund të ishte zbuluar më herët veprimtaria kriminale e Chan.
Ndërkohë janë bërë publike edhe detaje të tjera për Bright Horizons, e cila në të kaluarën kishte punësuar një tjetër punonjëse me interes seksual ndaj fëmijëve. Në vitin 2017, menaxherja Alison Whateley në çerdhen Bushy Tails në Teddington u arrestua pasi ishte regjistruar duke deklaruar se ishte pedofile dhe shprehur interes për të abuzuar me fëmijë. Ajo pranoi fajësinë në vitin 2019.
E pyetur nëse pas arrestimit të Whateley kompania ndryshoi procedurat e rekrutimit dhe verifikimit të stafit, Bright Horizons tha:
“Procedurat tona të rekrutimit të sigurt, të cilat i rishikojmë rregullisht, janë në përputhje me standardet. Të dyja, Alison Whateley dhe Vincent Chan, kaluan kontrollet e kërkuara.”
Çerdhja shtoi:
“Siguria e fëmijëve është prioriteti ynë absolut. Jemi operativë prej më shumë se 40 vitesh dhe kemi punësuar dhjetëra mijëra punonjës të përkushtuar ndaj mirëqenies së fëmijëve. Veprat e Chan nuk duhet të kishin ndodhur kurrë. Ne jemi të angazhuar të mbështesim plotësisht rishikimin në vazhdim, sikurse bëmë edhe gjatë hetimit të policisë, në mënyrë që të nxirren mësime.”
Në Parlament, sekretarja e edukimit, Bridget Phillipson, tha se do të ketë një rishikim të plotë të rastit. Ajo tha se do të konsiderohet vendosja më e gjerë e kamerave CCTV në çerdhe dhe se një raport paraprak rekomandoi nisjen e një rishikimi të plotë të praktikave të sigurisë së fëmijëve.
Phillipson dënoi “krimet e neveritshme dhe të tmerrshme” të Chan dhe shtoi:
“Premtimi im për familjet në këto ditë të errëta, për deputetët dhe për familjet në të gjithë vendin, është se drejtësia do të vihet në vend dhe se do të forcojmë mënyrat se si i mbrojmë fëmijët.”
Chan do të dënohet më 23 janar. Ndërkohë, dega e çerdhes ku ndodhi abuzimi është mbyllur.
