Fëmijët britanikë të lindur jashtë vendit rrezikojnë të mos lejohen të hyjnë në Mbretërinë e Bashkuar nga java e ardhshme
Fëmijët britanikë të lindur jashtë vendit mund të refuzohen në kufi nga java e ardhshme për shkak të rregullave të reja për pasaportat, ka paralajmëruar qeveria e Mbretëria e Bashkuar.
Për herë të parë, shtetasit me dy shtetësi, përfshirë foshnjat dhe fëmijët e vegjël, do të duhet të paraqesin pasaportë britanike për të hyrë në vend ose të paguajnë 589 paund për një të ashtuquajtur certifikatë të së drejtës për hyrje (certificate of entitlement).
Rregullat e reja hyjnë në fuqi nga e mërkura e ardhshme, 25 shkurt, dhe kanë shkaktuar reagime të ashpra nga britanikët që jetojnë jashtë vendit, të cilët thonë se janë vënë para faktit të kryer.
Sipas ligjit, fëmijët e lindur jashtë vendit nga një prind britanik janë automatikisht të kualifikuar për shtetësi britanike, por nuk mund ta heqin dorë prej saj deri në moshën 18 vjeç. Megjithatë, tani ata do të duhet ose të pajisen me pasaportë britanike, ose të paguajnë tarifën prej 589 paundësh për të udhëtuar drejt Britanisë.
Ndryshimet janë pjesë e programit të ri të Autorizimit Elektronik të Udhëtimit (ETA) të Home Office.
Sipas këtij sistemi të ri, qytetarët nga vende që më parë nuk kishin nevojë për vizë për të hyrë në Britani – përfshirë Kanadanë dhe Francën – do të duhet të aplikojnë për ETA, me kosto 16 paund, për të qëndruar deri në gjashtë muaj.
Megjithatë, qytetarët britanikë dhe irlandezë janë të përjashtuar nga ETA, çka do të thotë se ata duhet të provojnë shtetësinë e tyre britanike përpara se të udhëtojnë. Linjat ajrore, tragetet dhe kompanitë hekurudhore do të kenë të drejtë të refuzojnë hipjen nëse dokumentet nuk janë të sakta.
Në të kaluarën, shtetasit me dy nënshtetësi mund të udhëtonin me pasaportën e huaj dhe të provonin shtetësinë britanike me dokumente shtesë. Kjo nuk do të lejohet më.
Ekspertët paralajmërojnë se familje britanike me fëmijë të vegjël mund të përballen me situata absurde, ku edhe foshnjat mund të ndalohen në kufi nëse nuk kanë pasaportë britanike ose certifikatën e posaçme.
Një çift britanik ka deklaruar se foshnja e tyre 10-muajshe mund të mos lejohet të kthehet në Britani pas një udhëtimi në Zelandën e Re për shkak të rregullave të reja.
