Përhapje e fruthit (measles) në Londër – Çfarë duhet të dini për vaksinën MMR
Të paktën 60 fëmijë në Veri-Lindje të Londrës janë prekur nga fruthi në shpërthimin aktual. Shtatë shkolla dhe një çerdhe kanë raportuar raste.
Autoritetet shëndetësore janë të shqetësuara, pasi Londra ka një nga nivelet më të ulëta të vaksinimit në Mbretërinë e Bashkuar. Zyrtarët po u bëjnë thirrje familjeve që të sigurohen se janë të vaksinuar me vaksinën MMR.
Çfarë është fruthi?
Fruthi është një infeksion viral shumë ngjitës që prek sistemin e frymëmarrjes dhe mund të shkaktojë komplikime serioze, përfshirë:
- Infeksion në mushkëri (pneumoni)
- Probleme me trurin (encefalit)
- Në raste të rralla, mund të jetë fatal
Simptomat fillestare:
- Temperaturë e lartë
- Kollë
- Hundë që rrjedh
- Sy të skuqur
- Pas disa ditësh shfaqet një skuqje e kuqe/kafe në lëkurë (fillon në fytyrë dhe përhapet në trup)
Simptomat zakonisht shfaqen 10–12 ditë pas ekspozimit ndaj virusit.
Fëmijët me simptoma duhet të qëndrojnë në shtëpi dhe të mos shkojnë në shkollë apo çerdhe.
A mund të sëmuresh nga fruthi edhe nëse je vaksinuar me MMR?
Po, por është shumë e rrallë.
Vaksina MMR (kundër fruthit, shytave dhe rubeolës) jepet në dy doza përmes programit të vaksinimit të NHS:
- Doza e parë: rreth moshës 1 vjeç
- Doza e dytë: në moshën 3 vjeç e 4 muaj
Sipas NHS:
- 99% e personave që marrin të dyja dozat janë të mbrojtur
- Vetëm rreth 1% mund të preken më vonë
Imuniteti zhvillohet rreth 2 javë pas vaksinimit.
A ka efekte anësore vaksina MMR?
Efektet anësore janë zakonisht të lehta dhe kalimtare. Mund të përfshijnë:
- Temperaturë e lartë
- Skuqje të lehtë në lëkurë (e ngjashme me fruthin)
- Ndjenjë lodhjeje
- Gjëndra të fryra në qafë ose nofull
- Dhimbje të lehta në kyçe (2–3 javë pas vaksinimit)
Disa persona nuk përjetojnë asnjë efekt anësor.
📌 NHS thekson qartë: Nuk ka asnjë lidhje midis vaksinës MMR dhe autizmit. Kjo është vërtetuar nga studime të shumta shkencore.
Kur duhet të kontaktoni mjekun?
Duhet të kontaktoni menjëherë mjekun (GP) nëse:
- Dyshoni se ju ose fëmija juaj ka fruth
- Keni qenë në kontakt me dikë me fruth dhe nuk jeni plotësisht të vaksinuar
- Jeni shtatzënë dhe keni qenë në kontakt me një person të infektuar
Nëse GP është i mbyllur, telefononi 111.
