SUKSES HISTORIK PASI MIGRIMI
NETO RA ME 82% NË TRE VITET
E FUNDIT
Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar ka njoftuar se migrimi neto në vend ka rënë ndjeshëm, duke arritur nivelin më të ulët që nga periudha pas pandemisë COVID-19. Kryeministri Keir Starmer deklaroi se migrimi neto është ulur me 82% krahasuar me kulmin e vitit 2023.
Sipas statistikave zyrtare të publikuara nga Zyra Kombëtare e Statistikave (ONS), migrimi neto në Britani ka rënë nga rreth 944 mijë persona në vitin 2023 në rreth 171 mijë në vitin 2025. Kjo konsiderohet një nga uljet më të mëdha të viteve të fundit.
Qeveria britanike thotë se rënia erdhi si rezultat i politikave më të ashpra ndaj emigracionit. Mes masave kryesore përfshihen:
- ndalimi i sjelljes së familjarëve nga studentët ndërkombëtarë,
- rritja e pragut minimal të pagës për vizat e punës,
- kufizimi i rekrutimit të punëtorëve të huaj për sektorin e kujdesit social,
- rregulla më të forta për azilkërkuesit dhe deportimet.
Ministrja e Brendshme britanike, Shabana Mahmood, deklaroi se Britania duhet të “shpërblejë aftësitë dhe kontributin”, por të reduktojë varësinë nga fuqia punëtore e lirë nga jashtë.
Megjithatë, bizneset dhe ekonomistët kanë paralajmëruar se kufizimet e reja mund të krijojnë mungesa të mëdha punëtorësh, sidomos në sektorët e kujdesit shëndetësor, hotelerisë dhe ndërtimit.
Analistët politikë thonë se qeveria e Starmer po ashpërson politikat e emigracionit edhe për shkak të rritjes së mbështetjes për partinë anti-emigracion Reform UK.
