Qindra gra me një formë të avancuar dhe të vështirë për t’u trajtuar të kancerit të vezoreve do të kenë akses në një terapi të re që ekspertët e konsiderojnë përparimin më të rëndësishëm në më shumë se dy dekada për këtë sëmundje.
Shërbimi Kombëtar Shëndetësor britanik (NHS) dhe Instituti Kombëtar për Ekselencën në Shëndetësi dhe Kujdes (NICE) kanë miratuar përdorimin e ilaçit mirvetuximab soravtansine, i njohur me emrin tregtar Elahere, për pacientet me kancer të avancuar të vezoreve që nuk i përgjigjen më kimioterapisë me bazë platini.
Ky trajtim është i destinuar për gratë që kanë tumore me nivele të larta të proteinës FRα (folate receptor-alpha). Ilaçi funksionon si një terapi e synuar: një antitrup identifikon qelizat kancerogjene dhe u dërgon atyre një substancë që i shkatërron nga brenda, duke kufizuar dëmtimin e indeve të shëndetshme.
Sipas rezultateve të provave klinike ndërkombëtare, pacientet që morën Elahere jetuan mesatarisht rreth katër muaj më shumë sesa ato që morën vetëm kimioterapi. Gjithashtu, sëmundja përparoi më ngadalë dhe tumoret u zvogëluan te 37% e pacienteve, krahasuar me 16% te grupi që trajtohej me kimioterapi standarde.
Një tjetër avantazh i rëndësishëm është se terapia ka treguar më pak efekte anësore dhe një cilësi më të mirë jetese për pacientet. Disa gra që e kanë përdorur në kuadër të studimeve klinike raportuan se kanë mundur të rikthehen në aktivitete të zakonshme të përditshme, të cilat më parë i kishin të vështira për shkak të trajtimeve tradicionale.
Ekspertët britanikë e kanë përshkruar miratimin e Elahere si një moment historik për trajtimin e kancerit të vezoreve. Sipas NHS, rreth 400 gra çdo vit në Angli mund të përfitojnë nga ky trajtim i ri.
Shoqatat e pacientëve dhe organizatat bamirëse që mbështesin gratë me kancer të vezoreve e kanë përshëndetur vendimin, duke theksuar se për shumë paciente kjo terapi ofron jo vetëm më shumë kohë jetese, por edhe një jetë me më pak vuajtje dhe më shumë cilësi.
