Pas valës së fuqishme të të nxehtit që përfshiu Britaninë e Madhe në fund të qershorit, parashikimet meteorologjike tregojnë se një tjetër periudhë me temperatura ekstreme mund të godasë Londrën dhe jugun e Anglisë në javën e parë të korrikut.
Sipas modeleve më të fundit të motit, temperaturat do të fillojnë të rriten ndjeshëm nga 7 korriku, ndërsa kulmi i valës së të nxehtit pritet më 8 korrik, kur termometri në kryeqytetin britanik mund të shënojë deri në 36 gradë Celsius. Moti shumë i nxehtë parashikohet të zgjasë për të paktën pesë ditë, me temperatura që do të mbeten mbi 30°C në pjesën më të madhe të jugut të Anglisë.
Hartat meteorologjike sugjerojnë se Londra do të jetë ndër zonat më të prekura, ndërsa vala e nxehtësisë mund të shtrihet edhe në rajone të tjera të Anglisë dhe Uellsit.
Ndërkohë, shërbimi meteorologjik britanik, Met Office, nuk konfirmon ende temperatura specifike për këto data, por në parashikimin afatgjatë thekson se presioni i lartë atmosferik do të dominojë gjatë javëve të para të korrikut, duke krijuar kushte për mot të thatë, me shumë diell dhe temperatura mbi mesataren sezonale.
Ekspertët kujtojnë se një valë e të nxehtit në Mbretërinë e Bashkuar shpallet kur temperaturat kalojnë pragun zyrtar për të paktën tre ditë radhazi. Për Londrën, ky prag është 28°C, çka do të thotë se nëse parashikimet aktuale realizohen, kryeqyteti britanik do të përjetojë zyrtarisht një tjetër valë të nxehti.
Meteorologët theksojnë se, megjithëse modelet afatmesme japin një sinjal të fortë për rikthimin e temperaturave ekstreme, intensiteti dhe kohëzgjatja e valës së të nxehtit mund të ndryshojnë me afrimin e datave, ndaj qytetarët këshillohen të ndjekin përditësimet zyrtare të motit.
