Një 22-vjeçar ka humbur jetën pas një sulmi me thikë në orët e para të mëngjesit në një park tregtar në Croydon, në jug të Londrës.
Sipas policisë, shërbimet e emergjencës u thirrën rreth orës 01:15 të së dielës (15 shkurt 2026) në Valley Retail Park, pas raportimeve për një incident të dhunshëm. Në vendngjarje u gjetën tre burra me plagë të shkaktuara nga mjete prerëse.
22-vjeçari u transportua menjëherë në spital, por pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, ai ndërroi jetë si pasojë e plagëve të marra. Dy burra të tjerë, gjithashtu në të 20-at, u dërguan në spital për trajtim mjekësor. Gjendja e njërit prej tyre raportohet serioze.
Policia Metropolitane ka konfirmuar se disa persona janë arrestuar në lidhje me ngjarjen. Një burrë 28 vjeç dhe dy gra 25 vjeçe janë arrestuar nën dyshimin për vrasje. Ndërkohë, persona të tjerë janë arrestuar për përfshirje në përleshje (affray). Hetimet janë në vijim.
Zona e parkut tregtar u izolua për disa orë ndërsa specialistët e forenzikës kryen ekzaminimet në vendngjarje. Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve që kanë informacion të kontaktojnë policinë për të ndihmuar hetimet.
Identiteti i viktimës nuk është bërë ende publik, ndërsa familja e tij është njoftuar dhe po mbështetet nga shërbimet përkatëse.
Policia theksoi se po vijon puna për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes.
