Prindërit marrin fëmijët nga mësimi pas paralajmërimeve për përplasje mes nxënësve
Një shtetase shqiptare që jeton në Londër ka raportuar një situatë shqetësuese të ndodhur sot në disa shkolla të kryeqytetit britanik, ku sipas saj, prindërit janë njoftuar me email për të marrë fëmijët nga mësimi për arsye sigurie.
Sipas dëshmisë së saj, prej disa ditësh në rrjete sociale, veçanërisht në TikTok, kanë qarkulluar paralajmërime për përplasje mes grupeve nxënësish nga shkolla të ndryshme. Këto thirrje dyshohet se kanë nxitur tension dhe frikë në komunitetin e prindërve.
“Ne prindërit sot kemi dalë për t’i marrë fëmijët nga shkolla, sepse kishte frikë për përleshje mes nxënësve. Situata ishte e tensionuar dhe policia ishte e pranishme për kontrolle,” – shprehet ajo.
Sipas saj, në disa shkolla është raportuar se nxënës nga institucione të ndryshme kishin planifikuar të përballeshin mes tyre. Për këtë arsye, autoritetet kanë shtuar prezencën policore pranë shkollave, ndërsa në disa raste janë parë edhe kontrolle të shtuara sigurie.
Në një nga shkollat e përmendura, Hampstead School në komunën Camden, situata raportohet të ketë qenë nën kontroll, por frika mes prindërve ka qenë e lartë. Disa shkolla të tjera thuhet se kanë raportuar incidente ose tentativa për përplasje.
Burimi thekson se dëshmia e saj mund të përdoret publikisht, por pa përmendur emrin, për shkak të shqetësimit për sigurinë e fëmijës së saj.
Aktualisht, nuk ka një njoftim zyrtar për një incident të rëndë, por situata ka ngritur pikëpyetje mbi ndikimin e rrjeteve sociale në nxitjen e konflikteve mes të rinjve dhe mbi sigurinë në ambientet shkollore.
Ngjarja mbetet në zhvillim dhe priten reagime zyrtare nga autoritetet lokale.
