Keir Starmer po hyn në zonën më të rrezikshme për çdo kryeministër britanik: atë moment kur problemi nuk është më vetëm opozita, por fakti që dobësia e liderit fillon të lexohet si dobësi e të gjithë qeverisë.
Pikërisht këtu hyn Angela Rayner. Paralajmërimi i saj se Laburistëve “po iu mbaron koha” nuk tingëllon si një kritikë rutinë e brendshme, por si sinjali më i qartë se nervozizmi në zemër të partisë ka dalë në sipërfaqe dhe se pushteti i Starmer nuk po duket më aq i sigurt sa në muajt e parë.
Sipas raportimeve të ditëve të fundit, Rayner ka kërkuar një ndryshim të thellë kursi, duke goditur edhe vijën e qeverisë për emigracionin si “jo-britanike” dhe si shkelje besimi ndaj atyre që kanë ndjekur rregullat.
Ky nuk është më thjesht debat programor. Kjo është shenja klasike se një parti që erdhi në pushtet me premtimin e ndryshimit po rrezikon të perceptohet si establishment i lodhur para kohe. Kur një figurë me peshën politike të Angela Rayner flet për “mbijetesën” e partisë dhe për nevojën që qeveria të mos “kalojë thjesht sa për të kaluar”, ajo po prek nervin më të ekspozuar të Labour-it: ndjesinë se Starmer po humbet lidhjen politike dhe emocionale me votuesin që e solli në pushtet.
Goditja është edhe më e rëndë sepse vjen pas një periudhe ku autoriteti i Starmer është tronditur publikisht.
Në fund të shkurtit, Labour pësoi një humbje poshtëruese në Gorton and Denton, një bastion tradicional i së majtës britanike, ku Partia e Gjelbër doli fituese, Reform UK doli e dyta dhe Labour përfundoi vetëm në vendin e tretë.
Reuters e përshkroi rezultatin si një moment sizmik për politikën britanike dhe një goditje të drejtpërdrejtë për lidershipin e Starmer. Ky nuk është një aksident i izoluar elektoral; është prova se elektorati ka nisur të lëvizë dhe se Labour po humbet terren në të dy krahët, si ndaj së majtës protestuese, ashtu edhe ndaj populizmit të djathtë.
Pikërisht këtu fjalët e Rayner marrin kuptim më të madh. Ajo nuk po sulmon vetëm një vendim të qeverisë. Ajo po ngre alarmin se partia po humbet identitetin. Kritika e saj ndaj ashpërsimit të rregullave për qëndrimin e përhershëm të migrantëve prek thelbin e krizës: Labour duket sikur po adopton gjuhën dhe instinktet e kundërshtarëve të vet, në vend që të ofrojë një rrëfim të dallueshëm politik. Kur një qeveri e qendrës së majtë fillon të duket e pasigurt për parimet e veta, ajo nuk humbet vetëm koherencën; humbet edhe besueshmërinë.
Ironia më e fortë është se vetëm pak javë më parë, në kulmin e krizës së parë serioze të Starmer, Rayner i kishte dhënë atij “mbështetje të plotë”.
Reuters raportoi në shkurt se ajo ishte ndër figurat që dolën publikisht në krah të tij kur brenda Labour nisën të qarkullonin hapur thirrje për largim. Kjo do të thotë se dalja e saj tani ka peshë edhe më të madhe: nuk vjen nga një armike e brendshme tradicionale, por nga një figurë që më parë zgjodhi ta mbrojë. Dhe kur edhe mbrojtësit fillojnë të flasin me gjuhë alarmi, atëherë kriza nuk është më spekulim mediatik, por proces politik i nisur.
Në Westminster, pushteti nuk rrëzohet gjithmonë nga një rebelim frontal. Shpesh ai gërryhet nga një seri shenjash që, të marra veçmas, duken të menaxhueshme, por së bashku krijojnë atmosferën e fundit të një cikli: largime nga stafi i ngushtë, humbje simbolike, dyshime brenda grupit parlamentar, investitorë që kërkojnë garanci nga figurat e tjera dhe emra alternativë që përmenden gjithnjë e më shpesh. Në këtë kuadër, fakti që Rayner po zhvillon takime për të qetësuar tregjet dhe për të treguar se një lidership i saj nuk do të trondiste disiplinën fiskale, është një tregues se ajo nuk po sillet më vetëm si figurë e dytë, por si dikush që po e teston seriozisht peshën e vet politike.
Kjo nuk do të thotë se Starmer ka rënë. Por do të thotë se ai ka hyrë në fazën kur çdo humbje e re, çdo revoltë e re dhe çdo deklaratë e fortë nga brenda partisë nuk do të lexohet më si episod, por si provë se lidershipi i tij po konsumohet me shpejtësi. Dhe në politikën britanike, kur nis të qarkullojë hapur ideja se “koha po mbaron”, atëherë ora politike ecën shumë më shpejt se kalendari zyrtar
Angela Rayner e kupton këtë. Ajo po përpiqet të paraqitet jo si puçiste, por si zëri i kthjellimit para rrëshqitjes finale. Mesazhi i saj është brutal në thelb: ‘Labour’ nuk mund të mbijetojë duke u sjellë si administratore e rënies së vet. Nëse Starmer nuk rifiton shpejt kontrollin mbi narrativën, mbi partinë dhe mbi votuesin, atëherë pyetja në Londër nuk do të jetë më nëse ai është i dobët, por sa gjatë mund ta mbajë ende postin pa u kthyer në barrë për vetë laburistët. Dhe kur kjo pyetje bëhet publike, pasardhësi zakonisht nuk është më fantazi. Është duke pritur radhën.
