Një studim i publikuar nga shkencëtarë zviceranë ka ngritur shqetësime të reja mbi hantavirusin, pasi virusi është zbuluar në spermën e një pacienti edhe gjashtë vite pas infektimit fillestar.
Sipas studiuesve të laboratorit “Spiez Laboratory” në Zvicër, gjurmë të ARN-së së “Andes virus” — një lloj specifik hantavirusi që gjendet në Amerikën e Jugut — u zbuluan në mostrën e spermës së një burri 55-vjeçar plot 71 muaj pas infektimit. Rezultatet e studimit u publikuan në revistën shkencore “Viruses”.
Ekspertët shpjegojnë se testikujt mund të shërbejnë si një “rezervuar” ku virusi arrin të mbijetojë për periudha shumë të gjata, duke shmangur sistemin imunitar. Fenomene të ngjashme janë vërejtur më parë edhe tek viruset Ebola dhe Zika.
Megjithatë, shkencëtarët theksojnë se deri më tani nuk ekziston asnjë rast i konfirmuar i transmetimit seksual të hantavirusit. Studimi është bazuar vetëm në një pacient dhe nevojiten kërkime të tjera për të kuptuar nëse virusi mbetet aktiv dhe i transmetueshëm përmes marrëdhënieve seksuale.
Hantavirusi zakonisht transmetohet nga brejtësit, përmes urinës, feçeve ose pështymës së tyre. Sipas Qendrës Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), “Andes virus” është i vetmi lloj hantavirusi që mund të transmetohet nga njeriu tek njeriu, megjithëse raste të tilla konsiderohen shumë të rralla.
Simptomat e hantavirusit përfshijnë temperaturë, lodhje ekstreme, dhimbje muskujsh, probleme me frymëmarrjen dhe në raste të rënda mund të shkaktojë dështim të mushkërive.
Ekspertët e shëndetit publik kanë nisur të shqyrtojnë mundësinë e përditësimit të udhëzimeve për pacientët meshkuj që kanë kaluar infeksionin, duke rekomanduar monitorim afatgjatë dhe përdorimin e masave mbrojtëse gjatë marrëdhënieve seksuale.
