Bisedimet mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Bashkimit Europian kanë hasur në vështirësi të reja, ndërsa palët mbeten të ndara për disa çështje kyçe që lidhen me marrëdhëniet pas Brexit-it.
Sipas mediave britanike, një nga pikat kryesore të përplasjes është propozimi i Bashkimit Europian për një skemë vizash që do t’u lejonte të rinjve europianë dhe britanikë të jetojnë dhe punojnë përkohësisht në vendet respektive.
Qeveria britanike ka shfaqur rezerva ndaj planit, duke argumentuar se një marrëveshje e tillë mund të rikthejë në mënyrë indirekte lirinë e lëvizjes, çështje që ishte në qendër të largimit të Britanisë nga BE-ja.
Një tjetër pikë mosmarrëveshjeje mbetet edhe marrëveshja për standardet ushqimore dhe kontrollet veterinare. Bashkimi Europian kërkon që Britania të harmonizojë rregullat për produktet ushqimore me standardet europiane për të shmangur kontrollet e shumta kufitare, ndërsa Londra kërkon më shumë fleksibilitet dhe pavarësi në vendimmarrje.
Burime diplomatike bëjnë të ditur se negociatat janë tensionuar ditët e fundit, duke rritur frikën për vonesa në arritjen e një marrëveshjeje të re bashkëpunimi mes dy palëve.
Megjithatë, zyrtarët britanikë dhe europianë kanë deklaruar se dialogu do të vazhdojë, me synimin për të shmangur një përkeqësim të mëtejshëm të marrëdhënieve tregtare dhe politike pas Brexit-it.
