Vala e të nxehtit që ka përfshirë Mbretërinë e Bashkuar do të zgjasë më shumë se sa ishte parashikuar fillimisht, sipas njoftimit më të fundit të Shërbimit Meteorologjik Britanik (Met Office).
Temperaturat pritet të mbeten shumë të larta edhe gjatë ditëve në vijim, duke arritur deri në 35-36°C në disa pjesë të Anglisë. Megjithëse në Londër parashikohet një rënie e lehtë e temperaturave gjatë fundjavës, moti do të vazhdojë të jetë i nxehtë dhe mbi mesataren sezonale.
Meteorologët bëjnë të ditur se presioni i lartë atmosferik do të vazhdojë të dominojë mbi Britaninë, duke sjellë mot kryesisht të kthjellët dhe të thatë. Në disa zona nuk përjashtohet mundësia e stuhive lokale, por ato nuk pritet të ndikojnë ndjeshëm në uljen e temperaturave.
Autoritetet shëndetësore u kanë bërë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes gjatë temperaturave ekstreme, të konsumojnë sa më shumë ujë, të shmangin ekspozimin në diell gjatë orëve më të nxehta të ditës dhe të kujdesen për grupet më të rrezikuara, si të moshuarit, fëmijët dhe personat me probleme shëndetësore.
Sipas parashikimeve, moti i nxehtë pritet të vazhdojë edhe në javën e ardhshme, ndërsa Londra do të përjetojë vetëm një freskim të lehtë, pa i dhënë fund valës së të nxehtit.
