Një fluturim i British Airways me destinacion Londrën ka aktivizuar kodin ndërkombëtar të emergjencës 7700 pasi kishte hyrë në hapësirën ajrore franceze, duke u detyruar të ndryshonte kurs dhe të ulej në Luksemburg.
Momente shqetësimi janë regjistruar në bordin e një avioni të British Airways që po udhëtonte drejt aeroportit Heathrow të Londrës, pasi ekuipazhi shpalli emergjencë gjatë fluturimit mbi Evropë.
Fluturimi BA711 ishte nisur nga Larnaka, në Qipro, mëngjesin e së dielës, 27 shtator, me destinacion kryeqytetin britanik.
Avioni, një Airbus A321neo, po fluturonte në një lartësi prej rreth 34,000 këmbësh kur ekuipazhi aktivizoi kodin “squawk 7700”, pak pasi kishte hyrë në hapësirën ajrore franceze.
Kodi 7700 përdoret në aviacion për të sinjalizuar një emergjencë të përgjithshme, duke njoftuar menjëherë kontrollorët e trafikut ajror për situatën.
Pas shpalljes së emergjencës, avioni nisi zbritjen dhe ndryshoi itinerarin, duke u drejtuar për në Aeroportin e Luksemburgut, ku arriti të ulej në mënyrë të sigurt.
Sipas raportimeve të mediave të specializuara të aviacionit, shkak për devijimin ishte një emergjencë mjekësore në bord. Deri më tani nuk janë bërë publike detaje mbi identitetin apo gjendjen e personit që kishte nevojë për ndihmë mjekësore.
Pas qëndrimit në Luksemburg dhe përfundimit të procedurave të nevojshme, avioni u ngrit sërish dhe vazhdoi udhëtimin drejt Britanisë së Madhe, duke mbërritur në London Heathrow.
Pavarësisht alarmit të krijuar nga aktivizimi i kodit 7700 dhe devijimit të papritur, fluturimi përfundoi në mënyrë të sigurt dhe nuk u raportuan probleme të tjera me avionin.
