Ministria e Brendshme britanike (Home Office), nën drejtimin e Shabana Mahmood, ka nisur hetime për një skemë të dyshuar mashtrimi, ku persona të pasur paguanin deri në 100,000 paund për të siguruar viza britanike përmes dokumenteve dhe dëshmive të falsifikuara.
Sipas investigimit të BBC-së, kompani konsulence u ofronin klientëve portofolë artistikë të fabrikuar, vepra arti të prodhuara në Kinë, artikuj të rremë në media dhe letra rekomandimi, për t’i paraqitur si artistë të talentuar.
Skema synonte vizën Global Talent, e cila u mundëson personave me aftësi të jashtëzakonshme të jetojnë dhe punojnë në Britani, të sjellin familjarët dhe, në kushte të caktuara, të fitojnë qëndrim të përhershëm pas tre ose pesë vjetësh.
Një konsulent i lidhur me kompaninë iCareer Consultancy UK, në Canary Wharf të Londrës, i kishte ofruar një gazetareje të BBC-së, që vepronte nën mbulim, një paketë me vlerë rreth 100,000 paund. Konsulenti pretendonte se klientëve të paketës së plotë nuk u ishte refuzuar asnjëherë viza.
BBC zbuloi gjithashtu raste të artikujve të dyshuar si të falsifikuar në gazetat nigeriane. Pas investigimit, Home Office nisi procedurat për heqjen e vizave të dy shtetasve nigerianë që ishin paraqitur si fotografë të artit.
Kompania iCareer i mohoi akuzat se ofronte shërbime vizash dhe deklaroi se takimi i përshkruar nga BBC nuk ishte autorizuar prej saj.
Ministria e Brendshme i cilësoi zbulimet jashtëzakonisht serioze dhe konfirmoi se kompania ishte nën hetim. Qeveria deklaroi se nuk do të tolerojë mashtrimet me sistemin britanik të emigracionit.
