Qeveria britanike ka njoftuar masa të reja kundër sjelljeve antisociale në transportin publik, duke paralajmëruar gjoba deri në 100 paund për pasagjerët që dëgjojnë muzikë apo shikojnë video me zë të lartë, pa përdorur kufje.
Sipas masave të prezantuara më 19 tetor, autoritetet synojnë të reduktojnë shqetësimet që shkaktohen nga përdorimi i telefonave dhe pajisjeve elektronike me zë të lartë në autobusë dhe trena.
Pasagjerët që dëgjojnë muzikë apo shikojnë video pa kufje, duke prishur qetësinë e udhëtarëve të tjerë, mund të përballen me gjoba deri në 100 paund në autobusë.
Masat përfshijnë gjithashtu ndëshkime për sjellje të tjera të papërshtatshme, si përdorimi i cigareve elektronike, hedhja e mbeturinave dhe sjelljet kërcënuese ndaj pasagjerëve apo punonjësve të transportit publik.
Ndëshkime edhe më të ashpra në trena
Në transportin hekurudhor, pasagjerët që shkaktojnë shqetësime me muzikë apo përmbajtje të tjera me zë të lartë dhe refuzojnë të zbatojnë udhëzimet e personelit të autorizuar mund të largohen nga treni ose të përballen me gjoba që arrijnë deri në 1,000 paund, sipas rregullave në fuqi.
Qeveria britanike thekson se qëllimi i këtyre masave është përmirësimi i përvojës së udhëtimit dhe garantimi i një ambienti më të qetë e më të sigurt për të gjithë qytetarët.
Megjithatë, gjobat prej 100 paundësh në autobusë nuk do të zbatohen automatikisht në të gjithë Britaninë. Autoritetet lokale në Angli duhet të miratojnë rregulloret përkatëse përpara se ndëshkimet të hyjnë në zbatim.
Nisma është pjesë e përpjekjeve të qeverisë britanike për të luftuar sjelljet antisociale dhe për të nxitur respektin ndaj pasagjerëve të tjerë në transportin publik.
