Britania e Madhe po intensifikon masat e sigurisë dhe gatishmërisë ushtarake përballë kërcënimeve në rritje dhe mundësisë së një konflikti të ardhshëm.
Sipas raportimeve të mediave britanike The Times dhe Sky News, Forcat Ajrore Mbretërore (RAF) kanë nisur strehimin e avionëve ushtarakë gjatë natës në hangarë të mbrojtur, për të zvogëluar rrezikun e sulmeve të mundshme me dronë.
Autoritetet ushtarake po shqyrtojnë gjithashtu instalimin e rrjetave mbrojtëse prej Kevlari për avionët që qëndrojnë në ambiente të hapura, duke u bazuar në përvojën e luftës në Ukrainë.
Komandanti i Forcave Ajrore Britanike, Sir Harv Smyth, ka paralajmëruar për nevojën që vendi të përgatitet për një skenar ku edhe territori britanik mund të bëhet objektiv sulmesh.
Në kuadër të këtyre përgatitjeve, ushtria britanike synon të zhvillojë stërvitje për shpërndarjen e shpejtë të avionëve në baza të ndryshme, ndërsa po forcon mbrojtjen e infrastrukturës strategjike.
Shërbimi sekret britanik MI5 dhe Ministria e Mbrojtjes kanë paralajmëruar gjithashtu për rrezikun e akteve të sabotazhit të lidhura me Rusinë, veçanërisht ndaj kompanive që furnizojnë Ukrainën me pajisje ushtarake.
Sipas mediave britanike, përgatitjet ushtarake përfshijnë edhe skenarë për një konflikt të mundshëm deri në vitin 2030.
