Qeveria britanike ka njoftuar një skemë të re mbështetjeje financiare për miliona familje në Angli, të cilat do të përfitojnë nga £100 për të përballuar kostot e energjisë gjatë sezonit të dimrit. Pagesat pritet të fillojnë në janar të vitit 2027, ndërsa nga kjo masë mund të përfitojnë deri në 20 milionë familje.
Sipas planit të qeverisë, ndihma është pjesë e një pakete financiare prej rreth 2.6 miliardë paundësh, e cila synon të lehtësojë barrën ekonomike të familjeve britanike në një periudhë kur faturat e gazit dhe energjisë elektrike vazhdojnë të mbeten një shqetësim i madh për qytetarët.
Skema, e njohur si Household Energy Payment, parashikon një pagesë të vetme prej £100 për familjet që jetojnë në Angli dhe banojnë në prona të klasifikuara në kategoritë A, B, C dhe D të taksës vendore, të njohur si Council Tax.
Ndryshe nga disa programe të mëparshme të mbështetjes financiare, kjo ndihmë nuk do të kufizohet vetëm te familjet që marrin përfitime sociale, si Universal Credit. Edhe familjet që punojnë dhe nuk marrin ndihma nga shteti mund të përfitojnë, për sa kohë plotësojnë kriteret e përcaktuara.
Pagesat do të administrohen nga autoritetet lokale, ndërsa mënyra e shpërndarjes së parave do të varet nga sistemi i pagesës së Council Tax. Familjet që e paguajnë këtë taksë përmes Direct Debit pritet t’i marrin paratë automatikisht në llogaritë bankare, pa qenë e nevojshme të paraqesin një aplikim të veçantë.
Ndërkohë, qytetarët që nuk përdorin Direct Debit do të marrin udhëzime nga bashkitë përkatëse lidhur me procedurat që duhet të ndjekin për të përfituar mbështetjen financiare.
Autoritetet kanë bërë të ditur se shpërndarja e pagesave do të nisë në janar 2027, por jo të gjitha familjet do t’i marrin paratë në të njëjtën ditë. Afatet konkrete do të varen nga organizimi i secilit autoritet lokal.
Masa pritet të përfshijë miliona banorë në Londër dhe në qytete të tjera të Anglisë, përfshirë edhe familjet shqiptare që jetojnë dhe punojnë në Mbretërinë e Bashkuar, nëse plotësojnë kushtet e përfitimit.
Për Skocinë, Uellsin dhe Irlandën e Veriut janë parashikuar fonde për administratat përkatëse, ndërsa mënyra e përdorimit dhe shpërndarjes së mbështetjes do të përcaktohet sipas vendimeve të tyre.
Qeveria britanike e konsideron këtë ndërhyrje si një masë për të mbështetur buxhetet familjare gjatë muajve të ftohtë, kur konsumi i energjisë rritet dhe shpenzimet e ngrohjes rëndojnë më shumë mbi të ardhurat e qytetarëve.
Familjeve u rekomandohet të kontrollojnë kategorinë e Council Tax të banesës së tyre dhe të ndjekin njoftimet e bashkive përkatëse për informacionin më të fundit mbi shpërndarjen e pagesave.
