Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar ka njoftuar zyrtarisht rihapjen e UK Resettlement Scheme (UKRS) për referime të reja, si dhe krijimin e tri rrugëve të reja të sigurta dhe ligjore për refugjatët.
Sipas njoftimit të publikuar nga Home Office, skemat e reja do të përfshijnë sponsorizimin përmes komunitetit, institucioneve të arsimit të lartë dhe punëdhënësve.
Nga tetori 2026 do të hapen aplikimet për organizatat dhe universitetet që dëshirojnë të marrin statusin e sponsorit. Ndërkohë, aplikimet për sponsorët në kuadër të rrugës së punësimit parashikohet të hapen në pranverën e vitit 2027.
Autoritetet britanike kanë sqaruar se hapja e procesit në tetor nuk përbën hapjen e aplikimeve të drejtpërdrejta për të gjithë refugjatët. Në fazën fillestare do të aplikojnë organizatat dhe institucionet që synojnë të sponsorizojnë personat e kualifikuar.
Personat që pranohen përmes këtyre rrugëve do të vendosen në një rrugë pesëvjeçare drejt qëndrimit të përhershëm në Mbretërinë e Bashkuar.
Detaje të mëtejshme mbi kriteret, procedurat dhe zbatimin e skemave do të përcaktohen nga autoritetet britanike.
