Autoritetet britanike kanë intensifikuar kontrollet kundër krimit të lidhur me emigracionin edhe në rrjetin rrugor, me një operacion të zhvilluar në autostradën M6 që çoi në arrestimin e 18 personave dhe sekuestrimin e rreth £5,000 cash.
Operacioni u zhvillua në Staffordshire si pjesë e një nisme të përbashkët mes Staffordshire Police, Home Office Immigration dhe Driver and Vehicle Standards Agency (DVSA).
Gjatë tre ditëve të operacionit, autoritetet ndaluan 66 automjete dhe kontaktuan më shumë se 100 persona që udhëtonin përgjatë M6.
Si rezultat, 18 persona u arrestuan në lidhje me shkelje të legjislacionit të emigracionit, ndërsa u sekuestruan gjithashtu rreth £5,000 para cash.
Në fokus edhe trafikimi dhe shfrytëzimi
Kontrollet kishin si objektiv jo vetëm shkeljet e emigracionit, por edhe identifikimin e personave që mund të jenë viktima të trafikimit të qenieve njerëzore, skllavërisë moderne apo formave të tjera të shfrytëzimit.
Policia tha se operacione të tilla synojnë gjithashtu rrjetet kriminale që përdorin rrugët britanike për aktivitetet e tyre dhe që mund të shfrytëzojnë persona vulnerabël për përfitime financiare.
Gjatë kontrolleve u evidentuan edhe shkelje të rregullave të qarkullimit, përfshirë tejkalimin e shpejtësisë, përdorimin e telefonit gjatë drejtimit, mosvendosjen e rripit të sigurimit dhe drejtimin pa kujdesin e duhur.
Autoritetet nuk kanë publikuar kombësitë, emrat apo moshat e 18 personave të arrestuar dhe as hollësi për shkeljet individuale që dyshohet se ka kryer secili prej tyre.
