Një ngjarje e rëndë ka tronditur komunitetin e Thurnby, në Leicestershire të Britanisë së Madhe, ku një 15-vjeçar dhe babai i tij kanë mbetur të plagosur rëndë pas një sulmi me thikë brenda banesës së tyre.
Sipas mediave britanike, ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të 8 tetorit, rreth orës 00:30, kur dy persona të maskuar kanë hyrë në një banesë në Station Road dhe kanë sulmuar anëtarët e një familjeje.
Babai, rreth të 50-ave, dhe djali i tij 15-vjeçar kanë pësuar plagë të rënda nga goditjet me thikë dhe janë transportuar me urgjencë në spital. Sipas raportimeve të fundit të disponueshme, të dy ndodheshin në gjendje kritike, me rrezik për jetën.
Gjatë sulmit është plagosur edhe nëna e familjes, rreth të 40-ave, e cila ka marrë lëndime në dorë dhe shpatull. Pas trajtimit mjekësor, ajo është larguar nga spitali.
Në momentin e ngjarjes, brenda banesës ndodheshin edhe tre fëmijë të tjerë, të cilët fatmirësisht nuk kanë pësuar lëndime.
Policia e Leicestershire ka bërë të ditur se sulmi duket të ketë qenë i paprovokuar, ndërsa motivet mbeten ende të paqarta. Dy autorët e dyshuar janë larguar nga vendngjarja përpara mbërritjes së forcave të rendit.
Autoritetet kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe identifikimin e personave përgjegjës, duke u bërë thirrje qytetarëve që mund të kenë informacione të ndihmojnë policinë.
