Kostoja e jetesës në Britaninë e Madhe po rritet sërish, ndërsa inflacioni ka arritur në 3.5% gjatë muajit shtator, nga 3.1% që ishte në gusht, duke shënuar nivelin më të lartë në pothuajse një vit.
Sipas të dhënave të publikuara nga Zyra Kombëtare e Statistikave (ONS), rritja e inflacionit është ndikuar kryesisht nga shtrenjtimi i karburanteve, si pasojë e tensioneve dhe konfliktit në Lindjen e Mesme.
Gjatë muajit shtator, çmimi i benzinës është rritur mesatarisht me 8.2 pens për litër, ndërsa ai i naftës me 10.7 pens për litër, duke shtuar presionin financiar mbi familjet dhe bizneset britanike.
Rritja e inflacionit përbën një tjetër goditje për ekonomitë familjare, të cilat prej vitesh përballen me kosto të larta të ushqimeve, energjisë, qirave dhe shërbimeve të përditshme.
Ndërkohë, zhvillimet e fundit ekonomike shtojnë presionin mbi Bankën e Anglisë, e cila duhet të vlerësojë ndikimin e rritjes së çmimeve përpara vendimeve të ardhshme mbi normat e interesit.
Ekspertët paralajmërojnë se vazhdimi i rritjes së çmimeve mund të rëndojë më tej buxhetet familjare dhe të ngadalësojë rimëkëmbjen ekonomike të vendit.
