Dy shtetas shqiptarë janë arrestuar në Britaninë e Madhe, pasi dyshohet se kanë hyrë me qëllim vjedhjeje në rezidencën e Princ William dhe Princeshës Kate, në pronën mbretërore Sandringham, në Norfolk.
Ngjarja raportohet se ka ndodhur më 23 nëntor 2026, në rezidencën Anmer Hall, duke shkaktuar një alarm të madh sigurie dhe mobilizimin e forcave të policisë britanike.
Sipas raportimeve të mediave britanike, dy të arrestuarit janë identifikuar si Mirgen Doku, 34 vjeç, me banim në Londër, dhe Arilen Ndoci, 32 vjeç, pa adresë fikse banimi.
Autoritetet britanike ndërmorën një operacion të gjerë kërkimi, duke angazhuar helikopterë, dronë dhe qen gjurmues, që përfundoi me arrestimin e dy të dyshuarve.
Sipas gazetës britanike “The Sun”, dy shqiptarët dyshohet se e kanë përzgjedhur rastësisht banesën, pa qenë në dijeni se ajo i përkiste çiftit mbretëror. Megjithatë, autoritetet po kryejnë verifikime të hollësishme mbi të kaluarën e tyre, për të përjashtuar mundësinë e ndonjë motivi tjetër.
Princi William, Princesha Kate dhe tre fëmijët e tyre raportohet se nuk ndodheshin në rezidencë në momentin e incidentit.
Ndaj dy shtetasve shqiptarë janë ngritur akuza për hyrje me qëllim vjedhjeje dhe hyrje të paautorizuar në një zonë të mbrojtur. Ata pritet të dalin më 25 nëntor përpara Gjykatës së Magjistratëve në Norwich.
Deri më tani nuk është bërë e ditur nëse nga rezidenca është vjedhur ndonjë send, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes vijojnë.
Dy të arrestuarit prezumohen të pafajshëm deri në një vendim të gjykatës.
