Një nga spektaklet më të mëdha të fishekzjarreve në Londër pritet të zgjerohet ndjeshëm, me organizatorët që synojnë që nga viti i ardhshëm ta zhvillojnë aktivitetin gjatë dy ditëve, me një kapacitet total që mund të arrijë deri në 80 mijë vizitorë.
Bëhet fjalë për Blackheath Fireworks, në juglindje të Londrës. Organizatorët, Slammin’ Events, kanë paraqitur kërkesë për ndryshimin e licencës së aktivitetit, në mënyrë që në të ardhmen spektakli të mund të zhvillohet gjatë një fundjave të plotë.
Për edicionin e këtij viti, aktiviteti është planifikuar të mbahet të shtunën, më 7 nëntor 2026, ndërsa rreth 40 mijë bileta janë parashikuar për kapacitetin e eventit. Nga viti i ardhshëm, organizatorët duan që ai të zhvillohet për dy ditë, të premten dhe të shtunën ose të shtunën dhe të dielën.
Sipas propozimit, kapaciteti maksimal do të rritet nga rreth 30 mijë në 40 mijë persona për ditë. Kjo do të thotë se, nëse të dyja ditët arrijnë kapacitetin maksimal, gjatë një fundjave mund të marrin pjesë deri në 80 mijë njerëz.
Blackheath Fireworks u rikthye në vitin 2025 pas një mungese prej gjashtë vitesh. Në edicionin e rikthimit, hyrja ishte me pagesë dhe bileta për të rriturit kushtonte 16 paund. Aktiviteti përfshinte jo vetëm fishekzjarre, por edhe muzikë dhe argëtim, instalacione me drita, lojëra, komedi dhe dhjetëra pika ushqimi e pijesh.
Megjithatë, planet për zgjerimin e eventit kanë shkaktuar edhe kundërshtime. 17 banorë lokalë kanë paraqitur ankesa, duke ngritur shqetësime për dëmtimin e hapësirës së gjelbër të Blackheath, kufizimin e aksesit publik dhe ndikimin që aktiviteti mund të ketë në zonat që përdoren nga një shkollë pranë.
Disa banorë kanë thënë se pas aktivitetit të kaluar terreni mbeti me baltë dhe pjesë të tij nuk u rikuperuan për disa muaj. Shqetësime janë ngritur gjithashtu për gardhet dhe strukturat e sigurisë që kufizojnë përdorimin normal të hapësirës publike gjatë përgatitjeve dhe pas përfundimit të eventit.
Propozimi për zgjerimin e spektaklit i është paraqitur Lewisham Council, ndërsa autoritetet lokale duhet të vendosin për kushtet e licencës dhe mënyrën se si eventi mund të zhvillohet në të ardhmen.
