Qeveria britanike po përgatitet të prezantojë ndryshime të rëndësishme në sistemin e emigracionit, të cilat mund të ndikojnë drejtpërdrejt te mijëra shtetas të huaj që jetojnë dhe punojnë ligjërisht në Mbretërinë e Bashkuar, përfshirë edhe komunitetin shqiptar.
Ministrja e Brendshme, Shabana Mahmood, pritet të paraqesë sot detaje të reja lidhur me rregullat për marrjen e qëndrimit të përhershëm, të njohur si Indefinite Leave to Remain (ILR).
Një nga ndryshimet më të rëndësishme që është propozuar nga qeveria britanike është zgjatja e periudhës standarde të qëndrimit të ligjshëm, të nevojshme për të përfituar lejen e përhershme, nga pesë në dhjetë vjet.
Aktualisht, shumë emigrantë që ndodhen në Mbretërinë e Bashkuar me viza pune mund të aplikojnë për qëndrim të përhershëm pas pesë vitesh, nëse plotësojnë kushtet e përcaktuara nga autoritetet britanike. Megjithatë, sipas reformave të propozuara, kjo periudhë mund të dyfishohet për një pjesë të konsiderueshme të aplikantëve.
Disa emigrantë mund të presin deri në 15 vjet
Propozimet përfshijnë gjithashtu mundësinë e vendosjes së periudhave edhe më të gjata të pritjes për kategori të caktuara emigrantësh.
Në diskutim është përfshirë edhe mundësia që disa punonjës të sektorit të kujdesit social të duhet të presin deri në 15 vjet përpara se të fitojnë të drejtën e aplikimit për qëndrim të përhershëm.
Megjithatë, qeveria po shqyrton edhe masa mbrojtëse për personat që jetojnë dhe punojnë tashmë në Britani, në mënyrë që ndryshimet të mos ndikojnë njësoj te të gjithë
