Nga data 12 tetor 2025, Mbretëria e Bashkuar dhe Bashkimi Evropian fillojnë aplikimin në mënyrë të fazuar të sistemit të ri digjital të kontrollit kufitar, Entry-Exit System (EES), që do të zëvendësojë procesin tradicional të vulosjes së pasaportave për shtetas jo-BE që hyjnë dhe dalin nga zona Schengen.
Ky sistem do të kërkojë që udhëtarët që nuk janë qytetarë të BE-së — përfshi britanikët — të regjistrojnë të dhëna biometrike si fotografia e fytyrës dhe gjurmët e gishtërinjve (me përjashtim të fëmijëve nën 12 vjeç).
Në momentin e hyrjes së parë në një vend ku EES është në përdorim, udhëtarët do të kalojnë kontrollet e regjistrimit biometrik. Regjistrimi që bëhet do të mbahet për tre vjet ose deri sa pasaporta të skadojë, në varësi se cili është më herët.
Në vizitat e mëvonshme, udhëtarët do të duhet thjesht të skanojnë pasaportën dhe të përdorin njërin prej biometrikave (fytyrën ose gishtërinjtë), në varësi të vendit dhe praktikës lokale.
Sistemi do të aplikohet në 29 vende që përfshijnë vendet Schengen (duke përjashtuar Irlandën dhe Qipron) dhe vende si Islanda, Norvegjia, Zvicra dhe Lihtenshtajni.
Në Mbretërinë e Bashkuar, për udhëtimet që nisin nga portet si Dover, Eurotunnel (Folkestone) dhe Eurostar (St Pancras International), kontrollet EES do të kryhen në vendkalimet kufitare para se udhëtari të largohet nga Britania. Kjo përpiqet të shmangë vonesa kur udhëtari arrin në destinacionin evropian.
Qeveria britanike ka ofruar 10.5 milionë £ ndihmë financiare për përgatitjen e infrastrukturës kufitare, me qëllim që tranzicioni të jetë sa më i lehtë për udhëtarët.
Derisa sistemi EES do të futet gradualisht, gjithashtu pritet që procesi manual i vulosjes së pasaportave të vazhdojë përkohësisht derisa të përfundojë faza e implementimit të plotë.
