Partia Reform UK ka prezantuar një propozim të ri ligjor që synon të ashpërsojë ndjeshëm masat ndaj kompanive që punësojnë persona pa të drejtë ligjore pune në Mbretërinë e Bashkuar.
Sipas planit të shpallur nga partia, drejtuesit dhe administratorët e kompanive që përfitojnë nga punësimi i emigrantëve ilegalë mund të përballen me dënime me burg, ndërsa bizneset e mëdha mund të gjobiten deri në 10% të të ardhurave të tyre globale.
Propozimi, i quajtur nga Reform UK si “Deliveroo Law”, parashikon gjithashtu që kompanitë të mbajnë përgjegjësi edhe në rastet kur pretendojnë se nuk kanë qenë në dijeni të statusit të paligjshëm të punonjësve.
Sipas zyrtarëve të Reform UK, qëllimi i kësaj nisme është goditja e punësimit ilegal, mbrojtja e vendeve të punës për qytetarët britanikë dhe vendosja e përgjegjësisë më të madhe mbi punëdhënësit.
Aktualisht, bëhet fjalë për një propozim politik dhe jo për një ligj në fuqi. Ai do të mund të hynte në fuqi vetëm nëse Reform UK do të formonte qeverinë dhe propozimi do të miratohej nga Parlamenti britanik.
