Një agjent imobiliar është dënuar me 8 vite e 4 muaj burg, pasi u shpall fajtor për përfshirjen në një skemë kriminale ku prona me qira përdoreshin për kultivimin e kanabisit në Luton dhe Milton Keynes.
Sipas Bedfordshire Police, Sarfraz Farooq, 46 vjeç, drejtor i agjencisë imobiliare Condor Estates, përdorte aktivitetin e biznesit për të siguruar prona që më pas shndërroheshin në ferma kanabisi.
Hetimi policor çoi në kontrollin e 20 pronave gjatë vitit 2024, prej të cilave 19 ndodheshin në Luton dhe një në Milton Keynes. Në 19 prej këtyre pronave policia zbuloi ferma kanabisi, ndërsa në pronën tjetër u gjetën pajisje të përdorura për kultivimin e bimëve.
Në total, autoritetet sekuestruan rreth 2,000 bimë kanabisi, të cilat sipas vlerësimeve të policisë mund të kishin një vlerë tregu deri në 800 mijë paund.
Gjatë hetimeve u zbuluan gjithashtu prova që lidhnin skemën me kontrata të falsifikuara qiraje, blerjen e pajisjeve hidroponike dhe pastrimin e parave.
Farooq u dënua në Luton Crown Court më 10 shtator 2026. Në kuadër të së njëjtës çështje u dënuan edhe katër persona të tjerë, ndërsa dënimet e dhëna ndaj pesë të pandehurve arrijnë në total në më shumë se 14 vite burg.
Hetuesit thanë se operacioni kishte shfrytëzuar tregun e pronave me qira për ngritjen dhe funksionimin e fermave të kanabisit.
